Dy gra janë arrestuar në Serbi nën dyshimin për spiunazh, ndërsa autoritetet serbe pretendojnë se ato kanë mbledhur dhe përcjellë informacione konfidenciale për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), njësitë e inteligjencës të Policisë së Kosovës dhe Shërbimin Informativ Shtetëror të Shqipërisë (SHISH).
Sipas mediumit serb “Blic”, njëra prej të arrestuarave është D.C., 46-vjeçare nga Shillova e Gjilanit, ndërsa e dyshuara tjetër, N.P., 50 vjeçe, është nga Jagodina e Serbisë.
Arrestimet janë kryer në një operacion të përbashkët të Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë (BIA), Prokurorisë së Lartë Publike në Jagodinë dhe policisë në Vranjë e Jagodinë.
Sipas pretendimeve të hetuesve serbë, dy gratë kanë mbledhur dhe përcjellë në vazhdimësi të dhëna konfidenciale. Në fokus, sipas tyre, kanë qenë pjesëtarë aktivë të BIA-s dhe aktivitetet e tyre në terren.
“Blic” ka publikuar edhe pamje që pretendohet se tregojnë arrestimin e D.C. Ajo shihet e ulur në një kafene, kur i afrohen zyrtarët policorë dhe i prezantojnë dokumentet.
Sipas mediumit serb, asaj i është lejuar të marrë sendet personale dhe më pas është dërguar për intervistim, pa iu vendosur prangat.
Ndërkohë, në banesën që N.P. përdorte në Jagodinë është kryer një bastisje me urdhër të gjykatës.
Autoritetet serbe pretendojnë se gjatë kontrollit janë sekuestruar pajisje elektronike dhe sende të tjera, të cilat dyshohet se mund të kenë lidhje me rastin.
Bëhet fjalë për pretendime të autoriteteve serbe dhe raportimit të mediumit “Blic”, ndërsa hetimet për rastin janë në zhvillim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


