Naim Sallahu, pronar i kompanisë “Sallahu” sh.p.k., nuk ka arritur ta rrëzojë dënimin për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik as përmes kërkesës në Gjykatën Kushtetuese. Rasti lidhet me mosdeklarimin e një dënimi të mëparshëm penal gjatë ofertimit për ndërtimin e rrugës Viti–Kërbliq–Kaçanik.
Kushtetuesja, me aktvendimin e 3 shtatorit 2026 në rastin KI255/25, e shpalli njëzëri kërkesën e tij të papranueshme, duke i vlerësuar pretendimet si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese.
Sallahut i ishin shqiptuar 180 ditë burgim, të zëvendësuara me 4,700 euro gjobë, si dhe ndalim njëvjeçar i pjesëmarrjes në procedurat për dhënien e kontratave në prokurim publik.
Sipas aktvendimit, ai kishte marrë pjesë si ofertues në tenderin e shpallur nga Komuna e Vitisë në vitin 2020. Gjatë kësaj procedure, në deklaratën nën betim nuk kishte deklaruar se ishte dënuar më herët për falsifikim të dokumenteve zyrtare.
Për atë vepër, në vitin 2018 i ishin shqiptuar gjashtë muaj burgim, të cilët më pas ishin zëvendësuar me 3 mijë euro gjobë.
Mosdeklarimi i këtij dënimi u bë objekt hetimi nga Prokuroria Themelore në Gjilan, e cila në gusht të vitit 2021 ngriti aktakuzë për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.
Çështja kaloi disa herë në rigjykim, ndërsa Sallahu u lirua dy herë nga akuza para se të dënohej.
Fillimisht, në nëntor të vitit 2021, Gjykata Themelore e kishte hedhur poshtë aktakuzën dhe e kishte pushuar procedurën. Ajo kishte arsyetuar se zëvendësimi i burgimit me gjobë nuk krijonte pasoja juridike të dënimit. Apeli e ndryshoi këtë vendim pas ankesës së Prokurorisë.
Më pas, Themelorja e liroi Sallahun nga akuza në shkurt të vitit 2022 dhe sërish në qershor të vitit 2023. Të dyja aktgjykimet u anuluan nga Apeli, i cili kërkoi sqarimin e rrethanave lidhur me detyrimin për deklarimin e dënimit dhe qëllimin e mosdeklarimit të tij.
Më 3 maj 2024, Gjykata Themelore e shpalli fajtor. Sipas vlerësimit të konfirmuar nga Apeli, paraqitja e të dhënave të pasakta në deklaratën nën betim kishte synuar ndikimin në vendimmarrjen e autoritetit kontraktues.
Gjykata Supreme, më 26 mars 2025, refuzoi edhe kërkesën e Sallahut për mbrojtje të ligjshmërisë. Ajo arsyetoi se ai kishte detyrim ligjor ta deklaronte aktgjykimin dënues, pavarësisht llojit të dënimit të shqiptuar.
Sipas Supremes, çështja e pasojave juridike të një dënimi me gjobë nuk e përjashtonte detyrimin për të paraqitur të dhëna të sakta gjatë procedurës së prokurimit.
Para Kushtetueses, Sallahu pretendoi se dosja e tenderit nuk kërkonte paraqitjen e aktgjykimit penal në fazën e ofertimit dhe se gjykatat kishin interpretuar gabimisht ligjin. Ai kundërshtoi edhe dënimin, përfshirë ndalimin njëvjeçar në prokurim publik, duke e konsideruar të pajustifikuar dhe joproporcional.
Kushtetuesja vlerësoi se Supremja u kishte dhënë përgjigje pretendimeve të tij dhe se vendimet nuk pasqyronin interpretim arbitrar apo qartazi të paarsyeshëm të ligjit. Gjithashtu, ajo konstatoi se sanksioni ishte proporcional dhe brenda kufijve ligjorë.
Me këtë aktvendim, vendimet gjyqësore të kundërshtuara nga Sallahu mbeten të pandryshuara.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


