Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, ka paraqitur dorëheqjen e tij në një letër drejtuar kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, duke shprehur shqetësime serioze për nivelin e financimit të sektorit të mbrojtjes.
Në letrën e dorëheqjes, Healey thekson se ndihet krenar për punën e bërë gjatë mandatit të tij, veçanërisht për rolin udhëheqës të Britanisë në mbështetjen e Ukrainës përballë agresionit rus dhe forcimin e pozicionit të vendit brenda NATO-s.
Megjithatë, ai argumenton se financimi i paraparë në Planin e Investimeve në Mbrojtje nuk është i mjaftueshëm për t’u përballur me sfidat aktuale të sigurisë.
Sipas Healey-t, analiza ndërqeveritare e përfunduar në fillim të vitit kishte identifikuar nevoja të mëdha për investime shtesë në mbrojtje, por qeveria nuk ka siguruar burimet e nevojshme për të përmbushur këto kërkesa.
“Niveli i financimit është shumë i pamjaftueshëm për atë që kërkohet për mbrojtjen dhe vendin në këtë kohë të rrezikshme”, thuhet në letrën e tij.
Ai paralajmëroi se mungesa e investimeve mund të detyrojë autoritetet të marrin vendime që do të ulnin gatishmërinë e forcave të armatosura britanike, do të rrisnin rrezikun për personelin ushtarak në operacione dhe potencialisht do të dobësonin sigurinë kombëtare.
Dorëheqja e Healey-t vjen në një periudhë kur çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë evropiane janë në qendër të debatit politik, mes tensioneve të vazhdueshme ndërkombëtare dhe kërkesave për rritje të shpenzimeve ushtarake nga vendet anëtare të NATO-s.
Deri më tani, kryeministri Keir Starmer nuk ka bërë publik një reagim zyrtar lidhur me dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


