Dëshmitari i Masakrës së Poklekut, Fadil Muqolli, ka rrëfyer për tmerrin e 17 prillit ku forcat serbe vranë 59 civilë shqiptarë.
“Me datën 17 prill, 1999, forcat serbe na sulmuan fshatin prej të gjitha anëve me të gjitha mjetet. Familja është zgju, ka qenë ditë e shtunë, ditë me shi. Familja është nisë për Drenas, që unë e kam përcjellë derisa ka hy në Drenas. Me sy e kom përcjellë”, ka thënë në Edicionin Special të Klan Kosovës.
“Edhe, familjes i kanë dalë në rrugë serbët, edhe nuk i kanë lanë me hy në Drenas. Baba ka refuzu. Serbët kanë shtënë në ajër me pushkë automatike edhe i kanë detyru me u kthy me dhunë”.
Muqolli tha se pasi i kishin kthyer në Poklek, forcat serbe i kishin ekzekutuar 59 civilët.
“Janë ardhë në shpi. Forcat serbe kanë hy në fshat, kanë ardhë, kanë hy brenda, i kanë nxjerrë jashtë edhe i kanë numëru. I kanë futë prapë brenda, mas 15 minutave dikun, kanë hy brenda, i kanë marrë babën Sinanin, edhe Ymer Elshanin prej dhomës”.
“Kanë qenë 59 njerëz. I kanë qitë në oborr, edhe i kanë ekzekutu”.


