Sunday, September 20, 2026
spot_img
HomeLajmeOsmani: Krasniqi u vra kur Kosova kishte më shumë nevojë për njerëz...

Osmani: Krasniqi u vra kur Kosova kishte më shumë nevojë për njerëz të përkushtuar – drejtësia, detyrim ndaj historisë

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar kolonel Ahmet Krasniqin në përvjetorin e vrasjes së tij, duke kërkuar drejtësi për zbardhjen e rastit.

Osmani ka thënë se Krasniqi ishte një ushtarak që jetën dhe dijen e tij ia kushtoi Kosovës dhe lirisë së saj.

“Sot, në përvjetorin e vrasjes së kolonel Ahmet Krasniqit, përulemi me respekt para kujtimit të një ushtaraku që jetën dhe dijen e tij ia kushtoi Kosovës dhe lirisë së saj”, ka shkruar ajo.

Sipas Osmanit, Krasniqi ishte ndër personat që në ditët më të vështira nuk u tërhoqën para përgjegjësisë historike.

Ajo ka theksuar se koloneli punoi për ndërtimin e strukturave ushtarake që, siç ka shkruar ajo, do ta mbronin popullin dhe idealin e lirisë.

“U vra në një kohë kur Kosova kishte më shumë se kurrë nevojë për njerëz të përkushtuar ndaj saj. Por vrasja nuk e vrau idealin për të cilin ai jetoi”, ka deklaruar Osmani.

Ish-presidentja ka thënë se Kosova e lirë dhe shteti i saj janë dëshmia se sakrifica e Krasniqit nuk ishte e kotë.

Në reagimin e saj, Osmani ka kërkuar që kujtimi për Krasniqin të shoqërohet edhe me kërkesën për drejtësi.

“Një shtet që respekton të rënët e vet nuk pajtohet kurrë me heshtjen për vrasjet e tyre. E vërteta dhe drejtësia janë detyrim ndaj historisë, ndaj familjes së tij dhe ndaj brezave që do të vijnë”, ka shkruar ajo.

Në fund, Osmani ka bërë homazhin e saj për kolonelin.

“Lavdi e përjetshme kolonel Ahmet Krasniqit”, ka përfunduar ajo.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT