Një 13-vjeçare nga Istogu, e rritur mes varfërisë, rrugës dhe lëmoshës, përfundoi viktimë e dhunës seksuale.
Familja kishte vite nën mbikëqyrje institucionale, ndërsa institucionet pranojnë se kishin njohuri për gjendjen e rëndë sociale dhe problemet e vazhdueshme të fëmijëve.
Gazetarja Blerta Ahmeti, e cila ka bërë një dokumentar lidhur me këtë rast të rëndë, në emisionin “Kosova Today” ka deklaruar se prindërit nuk ishin mjaftueshëm të përgjegjshëm për mbikëqyrjen e të miturës dhe fëmijëve të tjerë, ndërsa shtoi se institucionet përkatëse nuk e kanë bërë të pamundurën për t’iu dalë në ndihmë të njëjtëve, transmeton Klankosova.tv.
“Vajza thotë se ka shkuar me personin, 55-vjeçar, veç për me i marr 15 euro. Pra nevoja e madhe për të pasur pak para për mbijetesë, atë e ka detyruar për të pranuar një ofertë të tillë, që me u bë edhe viktimë e dhunës seksuale, çka është jashtëzakonisht shqetësuese”, tha Ahmeti në Klan Kosova.
Ndër të tjera, gazetarja tha se 13-vjeçarja ka qenë viktimë e dhunës seksuale edhe më parë.


