Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka reaguar pas kërkimfaljes së Elvis Hoxhës nga Lëvizja Vetëvendosje për publikimin e një fotografie të rreme, e cila pretendohej se ishte përdorur nga mediat serbe për të lavdëruar Time Kadrijajn.
Ramadani ka ngritur pesë pyetje ndaj Hoxhës, duke kërkuar të dijë se nga është marrë fotografia dhe kush ia ka dërguar atë.
“Ku e more foton fake? Kush ta dërgoi? Qysh e postove pa e kqyr e pa verifikim? Kujt i besove aq symbyllur? Kush është ai/ajo që ti i beson apo ai/ajo që të urdhëron?”, ka shkruar Ramadani.
Ai ka thënë se kërkimfalja nuk është e mjaftueshme dhe ka paralajmëruar se, sipas tij, demaskimi i rasteve të tilla do të vazhdojë.
“Demaskimi juaj nuk do të ndalet. Deri në fund do t’ju demaskojmë. Po bëni Luftë Hibride kundër Kosovës për vite të tëra”, ka deklaruar Ramadani.
Në fund, deputeti i Aleancës ka theksuar se beson se do të vijë dita kur ligji do të jetë mbi të gjithë në Kosovë.
“Nuk mjafton kërkimfalja juaj! Do të vijë një ditë edhe në Kosovën tonë ku ligji do të jetë mbi të gjithë!”, ka përfunduar Ramadani.


