Kontrollet e Doganës gjermane kundër punës së padeklaruar kanë zbuluar disa raste të punësimit pa dokumentacionin e nevojshëm në zonën e Göttingenit.
Gjatë një kontrolli në një kantier ndërtimi në rrethin e Göttingenit, zyrtarët kanë identifikuar një shtetas shqiptar, i cili dyshohet se po punonte pa lejen e nevojshme të qëndrimit dhe punës në Gjermani.
Gjatë verifikimit të të dhënave të tij, autoritetet kanë konstatuar se ndaj shqiptarit kishte një urdhër-arresti në fuqi për vepra penale të lidhura me narkotikët, shkruan media gjermane.
Ai është arrestuar dhe më pas është dërguar në një stacion policor.
Në kuadër të të njëjtit operacion, zyrtarët kanë identifikuar edhe një shtetas moldav, i cili po punonte në një servis automjetesh në Göttingen pa dokumentacionin e nevojshëm.
Sipas autoriteteve, ndaj dy punëtorëve dhe punëdhënësve të tyre janë nisur procedura penale.
Përveç procedurave që lidhen me urdhrin e arrestimit, për shtetasin shqiptar pritet të shqyrtohen edhe masat lidhur me statusin e tij të qëndrimit në Gjermani.
Kontrollet janë zhvilluar nga njësia e Doganës gjermane përgjegjëse për luftimin e punës së padeklaruar në qytetin dhe rrethin e Göttingenit. Zyrtarët kanë raportuar raste të ngjashme edhe në Goslar dhe Hannoversch Münden.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


