Një rast i rëndë i vrasjes në tentativë është regjistruar mbrëmjen e 1 tetorit në fshatin Korishë të Prizrenit, ku një person dyshohet se ka shtënë dy herë me armë zjarri në drejtim të një 31-vjeçari.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 20:30, Policia është njoftuar se Skender Dakaj, 33-vjeçar, kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të Altin Kabashit, 31-vjeçar.
Me të arritur njësitë policore në vendin e ngjarjes, i dyshuari është paraqitur para zyrtarëve dhe është dorëzuar së bashku me armën që dyshohet se është përdorur në rast.
Viktima ndërkohë është dërguar nga familjarët për trajtim mjekësor në spital.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore dhe hetuesit, ndërsa më pas në rast është përfshirë edhe ekipi kujdestar i hetimeve rajonale.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit dhe pëlqimin e gjyqtarit të procedurës paraprake është realizuar edhe kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit.
Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar 64 fishekë të kalibrave të ndryshëm, ndërsa është sekuestruar edhe një Audi A4 i zi që lidhet me të dyshuarin.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, konflikti mes palëve nuk kishte nisur atë natë.
Më 19 gusht 2026, mes tyre ishte regjistruar një tjetër përplasje, për të cilën ishte iniciuar rast për “Kanosje”, ndërsa në atë rast Altin Kabashi kishte qenë i ndaluar për 48 orë.
Një nga pistat fillestare të hetimit është se përplasja e fundit mund të ketë lidhje me reduktimet e ujit në fshat, por motivi i plotë mbetet ende objekt i hetimeve.
Pas intervistimit, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, Skender Dakaj është ndaluar për 48 orë.
Rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


