Presidenti amerikan, Donald Trump, ka refuzuar ofertën e fundit të Iranit për t’i dhënë fund luftës, ndërsa SHBA-ja po përforcon praninë e saj ushtarake në Lindjen e Mesme.
Pentagoni ka nisur dërgimin e forcave shtesë në rajon, përfshirë grupin e tretë sulmues të aeroplanmbajtëses. Sipas raportimeve, në Lindjen e Mesme pritet të vendosen edhe 9,000 deri në 10,000 trupa amerikane.
Në një intervistë për revistën “Time”, të publikuar të enjten, Trump tha se nuk do të pranonte propozime nga Teherani që nuk do t’i kishte pranuar edhe një vit më parë.
I pyetur nëse SHBA-ja mund t’i intensifikojë sërish bombardimet ndaj Iranit pas zgjedhjeve të mesmandatit më 3 nëntor, Trump nuk e përjashtoi një mundësi të tillë.
“Nuk mund t’ju them, sepse po më pyesni se ku do të bombardoni”, tha Trump, kur u pyet për detaje rreth sulmeve të mundshme.
Ndërkohë, aeroplanmbajtësja amerikane “USS Theodore Roosevelt” është nisur nga baza e saj në San Diego, ndërsa një ditë më vonë u nis edhe grupi amfib “USS Makin Island”, i përbërë nga tri anije me marinsa.
Në Lindjen e Mesme ndodhen tashmë aeroplanmbajtëset “USS George H.W. Bush” dhe “USS George Washington”. Nëse “George Washington” mbetet në rajon pas mbërritjes së “Roosevelt”, SHBA-ja do të ketë tri grupe sulmuese të aeroplanmbajtëseve në këtë zonë.
Sipas raportimeve, në rajon aktualisht ndodhen më shumë se 50 mijë trupa amerikane, ndërsa vendosja e forcave të reja do ta rrisë ndjeshëm praninë ushtarake amerikane.
Forcat shtesë pritet të mbërrijnë deri në fund të nëntorit, ndërsa përforcimi ushtarak vjen disa ditë pasi Trump refuzoi propozimin e fundit të Teheranit për armëpushim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


