Një numër i qytetarëve të lagjes “Hasan Prishtina” në Viti kanë protestuar dje dhe sot para zyreve të Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) në këtë qytet.
Për Klankosova.tv një qytetar i asaj zone është shprehur se shkak i protestës së tyre janë problemet që kanë me rrymë.
“Për 48 orë nuk kemi energji elektrike, dje dhe sot kemi protestuar para zyrave të KEDS-it, na kanë premtuar intervenim të shpejtë, por jo ende”, ka thënë ky qytetar për Klankosova.tv.
Menjëherë për këtë rast, Klankosova.tv ka kontaktuar me Lulzim Krasniqin, zëdhënës për media në KEDS, i cili tha se nuk janë vetëm këta qytetarë që këto tri ditët e fundit kanë problem me furnizim me energji elektrike.
Sipas tij, një pjesë e madhe e qytetarëve këto tri ditë për shkak të kushteve të ftohta atmosferike janë duke përdorur në masë të madhe për ngrohje energjinë elektrike, dhe jo për nevojat e tjera bazike.
Ai shtoi se këto ditë janë rritur nivelet e konsumit.
“Kemi konsum të lartë dhe rekord 1,500 megavat për orë, kjo është shënuar si konsumi më i lartë i arritur deri me tash, kjo ka ndodhur dje”.
“Konsumi normalisht në disa lokalitete po shkakton djegien e aseteve kabllove dhe transformatorëve”, ka thënë Krasniqi.
Ndër tjera, ai ka shtuar se bashkëndjejnë me qytetarët në Viti, dhe ka kërkuar që të kursehet energjia elektrike nga qytetarët gjatë këtyre ditëve, sa më shumë që ështgë e mundur. /Klankosova.tv
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
<!–
–>


