Policia e Kosovës ka njoftuar se dy persona janë shoqëruar në polici gjatë protestave pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas Policisë, njërit prej tyre i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh me vendim të prokurorit, ndërsa personi tjetër është liruar në procedurë të rregullt.
Ndalimet kanë ardhur pas tensioneve pranë bazës së EULEX-it dhe objektit të Qeverisë, ku disa protestues tentuan të kalonin rrethojat dhe kordonin policor, ndërsa u hodhën gurë dhe sende të forta.
Policia thotë se protestuesit fillimisht ishin mbledhur në sheshet e Prishtinës, ndërsa më pas një pjesë e tyre u nisën drejt bazës së EULEX-it.
Atje, sipas Policisë, disa protestues tentuan të depërtonin me forcë brenda rrethojave dhe hodhën sende të ndryshme në drejtim të objektit.
Më vonë, protestuesit vazhduan drejt objektit të Qeverisë, ku pati përsëri tentativa për të kaluar rrethojat dhe kordonin policor.
Për shkak të protestave, Policia ndërpreu përkohësisht qarkullimin në rrugën Prishtinë–Fushë Kosovë dhe në rrugën “Bill Klinton”.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që pakënaqësitë t’i shprehin në mënyrë të qetë dhe të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


