Pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë, avokati Besnik R. Berisha ka bërë thirrje që reagimi ndaj vendimit të mbetet brenda rrugës juridike dhe të mos shndërrohet në veprime që mund t’i dëmtojnë Kosovën apo vetë të dënuarit.
Në reagimin e tij, Berisha e ka cilësuar këtë si një ditë të rëndë për të katërtit, familjet dhe miqtë e tyre, por edhe për shumë qytetarë që vendimin e kanë përjetuar me dhimbje, zhgënjim dhe revoltë.
Megjithatë, sipas tij, pikërisht në momente të tilla duhet ruajtur arsyeja.
“Kushdo që ua do të mirën atyre që sot janë në Hagë duhet të kërkojë drejtësi me më shumë zë se kurrë, por jo trazira”, ka shkruar Berisha.
Ai ka kërkuar që beteja të vazhdojë deri në fund përmes ligjit, provave, argumenteve dhe mjeteve juridike, duke paralajmëruar se veprimet e pakontrolluara nuk e ndryshojnë aktgjykimin dhe nuk i afrojnë të dënuarit drejt lirisë.
Sipas tij, zemërimi dhe revolta janë të kuptueshme, por dhuna nuk mund të jetë përgjigjja.
Berisha ka theksuar se vendimi i sotëm është i shkallës së parë dhe se procesi juridik nuk ka përfunduar. Edhe raportimet ndërkombëtare për vendimin theksojnë se palët kanë të drejtën e ankimit.
“Kush beson në pafajësinë e tyre ka edhe më shumë arsye që betejën juridike ta vazhdojë deri në fund. Çdo përfundim që konsiderohet i gabuar duhet kundërshtuar, çdo provë duhet peshuar dhe çdo mjet juridik që lejon ligji duhet shfrytëzuar”, ka shkruar ai.
Në reagim, Berisha ka bërë thirrje që mbështetja për ish-krerët e UÇK-së të mos vendoset përballë interesit të Kosovës.
Sipas tij, vendi nuk ka pse të zgjedhë “mes njerëzve të saj dhe vetvetes”, pasi është e mundur të kundërshtohet një aktgjykim pa cenuar shtetin, miqësitë dhe aleancat e Kosovës.
“As thirrjet për përplasje, as veprimet e pakontrolluara dhe as idetë për zhbërjen e institucioneve në këtë fazë nuk e ndryshojnë aktgjykimin dhe, mbi të gjitha, nuk i hapin dyert e qelive”, ka shkruar ai.
Berisha ka paralajmëruar se shndërrimi i dhimbjes dhe revoltës në veprime të dhunshme mund të prodhojë një dëm të dytë, si për Kosovën ashtu edhe për personat në emër të të cilëve pretendohet se po zhvillohet protesta.
“Drejtësia nuk kërkohet duke ia shtuar Kosovës edhe një plagë tjetër. Ajo kërkohet me ligj, me prova, me argument, me durim dhe me këmbëngulje”, ka theksuar ai.
Në fund, Berisha ka dhënë një mesazh për mënyrën se si, sipas tij, duhet të matet përgjegjësia në ditë të tilla.
“Ka ditë kur patriotizmi nuk matet me atë se kush bërtet më fort, por me atë se kush di ta ruajë Kosovën edhe kur dhemb më së shumti.”
Ai e ka mbyllur reagimin me porosinë se procesi nuk ka marrë fund.
“Beteja nuk ka përfunduar dhe as shpresa nuk duhet të përfundojë këtu.”
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


