Komentet fyese, ofenduese e kërcënuese kanë marrë dhenë nëpër faqet zyrtare të disa politikanëve në Kosovë.
Pikërisht për këto komente, në emisionin “Kosova Today”, kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Paris Guri tha se dyshimet kryesore i ka te Dejona Mihali, siç thotë ai, si menaxhuese e profileve të rreme në rrjetin social Facebook, transmeton Klankosova.tv.
Ndër të tjera, ishg-deputeti përmend një profil falso, i cili sipas Gurit, ndjek nga afër tubimet e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa i njëjti ngriti pikëpyetje se prapa këtij profili pos Mihalit, sipas Gurit, mund të fshihet edhe ndonjë ministër a deputet.
“Në krejt komentet te Vjosa Osmani, krejt komentet janë ‘frizerka’, ‘frizerka’, ‘frizerka’. Të njëjtin narracion e përdor edhe njeriu i dytë më i rëndësishëm i Lëvizjes Vetëvendosjes. Kur e kam pasur unë rastin tim në Kuvendin e Kosovës, për një fjalë që e pata mbajtur, fyerjet që mu patën drejtuar mua nga deputetët e LVV-së, kanë qenë të njëjtat, identike, me fyerjet e militantëve që i bëjnë në Facebook”, tha Guri.
“Është një profil në Facebook, Jona Çitaku, është profil falso. Ne i kemi dërguar para disa ditëve denoncimin e tretë në polici. Por çka është një gjë shumë interesant që Jona Çitaku gjatë tërë ditës fabrikon lajme të rreme, gjeneron fotografi përmes Inteligjencës Artificiale, edhe tash në momentin e parë që ka tubime VV-ja, ajo xhiron live prej rendi të parë. Pra është e ulur në rendin e parë. Ose është deputete, ose ministër/ministre, ose është Dejona Mihali. Dyshimet kryesore i kam që krejt këto profile të rreme menaxhohen nga Dejona Mihali”, tha ai në Klan Kosova.


