Friday, July 31, 2026
spot_img
HomeLajmePiloti kapet me drogë pas uljes së avionit – mund të dënohet...

Piloti kapet me drogë pas uljes së avionit – mund të dënohet me vdekje

Një pilot i kompanisë Malaysia Airlines është arrestuar në Indonezi pasi në bagazhin e tij u gjetën mbi 70 mijë pilula ekstazi dhe sasi metamfetamine, ndërsa testet treguan se ai kishte konsumuar edhe drogë para se të drejtonte një fluturim me pasagjerë.

Sipas autoriteteve indoneziane, piloti 39-vjeçar, i identifikuar vetëm me inicialet MS, u ndalua në aeroportin ndërkombëtar Soekarno-Hatta në Xhakartë menjëherë pasi kishte ulur një avion që kishte mbërritur nga Kuala Lumpuri. Numri i fluturimit tregon se bëhej fjalë për një fluturim të Malaysia Airlines.

Gjatë kontrollit, zyrtarët e doganës gjetën 14 qese me më shumë se 70 mijë tableta ekstazi në valixhen e pilotit, ndërsa në bagazhin e dorës iu sekuestruan edhe katër gramë metamfetaminë.

Autoritetet thanë se piloti kishte pranuar t’i transportonte substancat narkotike për llogari të një personi të paidentifikuar, në këmbim të një pagese prej 50 mijë ringitësh malajzianë (rreth 12 mijë dollarë).

Testet e urinës rezultuan pozitive për metamfetaminë, MDMA dhe kokainë, duke ngritur dyshime se ai ishte nën ndikimin e drogës gjatë fluturimit.

“Ajo që na shqetëson është se ai sapo kishte pilotuar një avion me pasagjerë nga Kuala Lumpuri drejt Indonezisë”, deklaruan zyrtarët e hetimit.

Nëse shpallet fajtor për trafik droge, piloti mund të përballet me dënimin me vdekje, pasi Indonezia ka një nga legjislacionet më të ashpra në botë për veprat që lidhen me narkotikët.

Malaysia Airlines ka bërë të ditur se nuk do të komentojë rastin derisa hetimet të përfundojnë, por theksoi se kompania ka politikë të tolerancës zero ndaj keqpërdorimit të substancave të ndaluara dhe se do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet indoneziane.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT