Saturday, September 19, 2026
spot_img
HomeLajmePërleshja me thika në Mitrovicë, një muaj paraburgim për të dyshuarin

Përleshja me thika në Mitrovicë, një muaj paraburgim për të dyshuarin

Sinjali ka raportuar mbrëmë ekskluzivisht për incidentin e rëndë që ndodhi në rrugën “Adem Jashari” në Mitrovicë, ku dy persona mbetën të plagosur me thikë, ndërsa gjatë përleshjes u lëndua edhe një zyrtar policor jashtë detyrës.

Burimet e Sinjalit bënë me dije se të plagosurit janë Arjanit Islami, 31-vjeçar, dhe Arber Islami, 26-vjeçar, ndërsa si i dyshuar për rastin u arrestua Granit Fazliu, 19-vjeçar.

Rasti ishte raportuar rreth orës 22:40 si “rrahje në zhvillim”. Pas mbërritjes në vendngjarje, njësitet policore kishin hasur tre persona të përfshirë në incident.

Dy viktimat kishin pësuar plagë nga një mjet i mprehtë, dyshohet thikë, në pjesë vitale të trupit. Ata fillimisht ishin trajtuar në Spitalin Rajonal të Mitrovicës dhe më pas ishin transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Edhe i dyshuari Fazliu kishte shenja lëndimi dhe, pas arrestimit, ishte dërguar për trajtim mjekësor, para se të shoqërohej për procedurat e mëtejshme hetimore.

Gjatë ndërhyrjes kishte tentuar ta ndalte të dyshuarin edhe një zyrtar policor jashtë detyrës, i cili kishte pësuar lëndime të lehta në dorë dhe ishte trajtuar në spital.

Ndërkohë, sot Gjykata Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit G.F.

Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se G.F. ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Valon Hajdini, i ka caktuar të pandehurit masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Paraburgimi do të llogaritet nga 18 shtatori deri më 18 tetor 2026.

Kundër këtij aktvendimi, pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit brenda 48 orëve nga momenti i pranimit të aktvendimit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT