Friday, September 25, 2026
spot_img
HomeLajmeLEX | Këmbësori vdiq në vend, shoferi u dënua me tre vjet...

LEX | Këmbësori vdiq në vend, shoferi u dënua me tre vjet burg – Apeli e kthen rastin e Fisnik Hotit në rigjykim

Gjykata e Apelit e Kosovës ka anuluar aktgjykimin me të cilin Fisnik Hoti ishte dënuar me tre vjet burgim për një aksident ku humbi jetën këmbësori S.H., duke e kthyer çështjen në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale procedurale.

Me vendimin e 16 shtatorit 2026, Apeli ia ka vazhduar Hotit masën e paraburgimit deri në një vendim tjetër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk kishte përshkruar qartë në dispozitivin e aktgjykimit formën e fajit: nëse vepra ishte kryer nga pakujdesia apo me dashje. Po ashtu, nuk kishte përcaktuar dispozitën konkrete të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor që pretendohej se ishte shkelur.

Këto mangësi, sipas kolegjit, e bënin të nevojshëm anulimin e aktgjykimit dhe zhvillimin e një shqyrtimi të ri gjyqësor.

Këmbësori po kalonte në të gjelbër, sipas aktgjykimit të anuluar

Rasti kishte ndodhur më 22 shkurt 2026, rreth orës 20:40. Sipas përshkrimit në aktgjykimin e shkallës së parë, të cituar nga Apeli, Hoti nuk kishte respektuar dritën e kuqe të semaforit dhe nuk kishte përshtatur shpejtësinë e automjetit.

Në atë përshkrim thuhet se automjeti kishte goditur këmbësorin S.H., i cili po kalonte rrugën në dritën e gjelbër për këmbësorë. Nga goditja, ai ishte hedhur në një distancë prej 18.40 metrash dhe kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Për këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë më 12 qershor 2026 e kishte shpallur Hotin fajtor për rrezikim të trafikut publik. Krahas tre vjetëve burgim, i kishte shqiptuar edhe dënimin plotësues të marrjes së lejes së vozitjes për pesë vjet.

Pala e dëmtuar kërkoi 12 vjet burg, mbrojtja dënim më të butë

Aktgjykimin e kishin ankimuar Prokuroria Themelore, përfaqësuesja e palës së dëmtuar dhe mbrojtja e Hotit.

Prokuroria kishte kërkuar dënim më të lartë, ndërsa përfaqësuesja e palës së dëmtuar kishte kërkuar 12 vjet burgim. Në ankesën e saj, ajo kishte theksuar se, sipas aktgjykimit, Hoti kishte qenë i dënuar më parë për 24 kundërvajtje në trafik, duke argumentuar se dënimi prej tre vjetësh nuk pasqyronte peshën e rastit dhe pasojat.

Mbrojtja, ndërkaq, kishte kërkuar lirimin nga akuza ose një dënim më të butë. Ajo kishte kundërshtuar vlerësimin e përgjegjësisë së Hotit, duke pretenduar edhe kontribut të viktimës në aksident dhe duke përmendur pendimin e të akuzuarit e rrethanat e tij familjare.

Për shkak të shkeljeve procedurale të konstatuara sipas detyrës zyrtare, Apeli nuk hyri në vlerësimin e kërkesave për lartësinë e dënimit.

Në rigjykim, Gjykata Themelore është udhëzuar të shqyrtojë sërish provat, të sqarojë formën e fajit dhe të përcaktojë lëshimet eventuale të drejtuesit të automjetit në raport me dispozitat konkrete të trafikut rrugor.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT