Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shprehur shqetësim lidhur me shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.
Në një njoftim për media, PDK ka theksuar se kjo vonesë e pajustifikueshme është dëshmi e radhës e një procesi të stërzgjatur, i cili sipas saj ka humbur kuptimin e drejtësisë dhe është shndërruar në një proces të ndikuar nga kalkulimet politike.
“Shtyrja e fundit është një goditje tjetër ndaj besimit tonë në drejtësi dhe një padrejtësi e shtuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët prej rreth pesë vitesh e gjysmë po mbahen në paraburgim, duke ua shndërruar këtë masë në një dënim të heshtur të imponuar përmes vonesave të përsëritura”, thuhet në njoftim.
Tutje, PDK i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të drejtësisë që të reflektojnë dhe të mos lejojnë që ky proces të shndërrohet në një shembull të dështimit të drejtësisë ndërkombëtare.
“PDK mbetet e palëkundur në bindjen për pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së dhe kërkon një vendim përfundimtar, pa vonesa të mëtejshme, i cili do të mundësojë rikthimin e tyre në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


