Qindra fluturime drejt dhe nga Mbretëria e Bashkuar janë anuluar pas një problemi teknik që ka prekur ofruesin e shërbimeve të kontrollit të trafikut ajror, Nats.
Sipas faqes së monitorimit të fluturimeve, FlightRadar24, të paktën 1,000 fluturime drejt ose nga Mbretëria e Bashkuar janë anuluar. Kompania ajrore EasyJet ka anuluar rreth 200 fluturime, ndërsa British Airways më shumë se 100.
Nats ka bërë të ditur të martën në mbrëmje se sistemet e saj të fluturimeve kanë filluar të rikthehen në funksion, raporton BBC – transmeton Sinjali.
Me një numër të kufizuar avionësh që mund të ngriheshin nga aeroportet, besohet se edhe uljet janë kufizuar, duke bërë që disa fluturime të mos lejoheshin të niseshin nga aeroportet jashtë vendit.
Problemi ka prekur një pjesë të madhe të Mbretërisë së Bashkuar, por edhe më gjerë. Aeroporte në Skoci dhe Irlandë kanë raportuar gjithashtu pengesa në operim.
Ryanair, kompania ajrore më e madhe në Evropë, raportoi më herët se më shumë se 65,000 pasagjerë ishin vonuar deri në tetë orë.
Në Heathrow, një nga aeroportet më të ngarkuara në Evropë, nisjet u pezulluan fillimisht rreth mesditës. Trafiku më pas rifilloi, por aeroporti u përball me probleme të tjera gjatë pasdites.
Gjatë pasdites, aeroporti thuhet se mbeti pa hapësirë për avionët që po prisnin të uleshin, pasi fluturimet nuk po mund të niseshin. Si pasojë, 13 fluturime që kishin destinacion Heathrow u devijuan drejt aeroporteve të tjera në Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropë.
Pasagjerëve u është kërkuar të kontaktojnë kompanitë ajrore për të kontrolluar statusin e fluturimeve të tyre.
British Airways tha në një deklaratë se priste që problemi të shkaktonte pasoja edhe në fluturimet e tjera.
“Ne u detyruam të anulojmë ose devijojmë më shumë se 100 fluturime të martën pasdite”, tha një zëdhënës.
“Po bëjmë gjithçka që mundemi për t’i mbajtur klientët tanë të informuar dhe për të bërë rregullimet e nevojshme që ata të vazhdojnë udhëtimet e tyre.
U kërkojmë klientëve, fluturimet e të cilëve janë anuluar, të mos udhëtojnë drejt aeroportit dhe të kenë durim nëse përpiqen të na kontaktojnë, pasi qendrat tona të thirrjeve janë jashtëzakonisht të ngarkuara në këtë moment.”
Aeroporte në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar kanë raportuar anulime dhe vonesa, ndërsa u kanë bërë thirrje pasagjerëve të kontrollojnë detajet e fluturimeve para se të nisen drejt aeroportit.
Sipas FlightRadar24, aeroportet më të prekura janë Heathrow, Gatwick, Manchester dhe Birmingham. Faqja vlerëson se rreth 4 për qind e fluturimeve në Mbretërinë e Bashkuar janë anuluar ose vonuar si pasojë e problemit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


