Gazeta Sinjali kishte raportuar ditë më parë për shqetësimet e ngritura nga një prind lidhur me kushtet në Klinikën Infektive, ku fëmija i tij po vazhdonte trajtimin për fruth.
Prindi, i cili kishte kërkuar të mbetej anonim, kishte dërguar pamje nga reparti dhe kishte pretenduar se kushtet higjienike ishin të dobëta, ndërsa lloje të ndryshme të mbeturinave hidheshin në të njëjtin vend.
“Ky është shtrati ku është i shtrirë fëmija im. Nuk e di a ka ardhur të shërohet apo të marrë ndonjë infeksion tjetër. Pastërtia, ja si është. Në të njëjtin vend hidhen të gjitha llojet e mbeturinave”, kishte deklaruar për Sinjalin.
Në reagimin e tij të parë, prindi kishte ngritur shqetësime edhe për mungesën e personelit shëndetësor, duke pretenduar se gjatë dy ndërrimeve vetëm një infermiere kujdesej për të gjithë repartin.
“Në dy ndërrimet është vetëm një infermiere në të gjithë repartin. Vlen të ceket se shërbimi nga ana e infermiereve është shumë i mirë, pavarësisht kushteve. Tek ato nuk kemi ankesa”, kishte thënë prindi.
Tutje, kishte pretenduar gjithashtu se në repart mungonin materiale dhe medikamente bazë. Prindi kishte thënë se në repart nuk kishte pasur medikamente për uljen e temperaturës, ndaj familjarët ishin detyruar të shkonin me urgjencë në barnatore për t’i siguruar ato.
“Sot gjatë ditës fëmija i ka pasur dy kriza. Te kriza e parë temperatura i ka shkuar 40 gradë dhe në repart nuk ka pasur medikamente për uljen e temperaturës, prandaj është dashur me urgjencë të shkojmë t’i sigurojmë në barnatore”, kishte deklaruar ai.
Shqetësime ishin ngritur edhe për kushtet në dhoma. Prindi anonim kishte thënë se mungonin perdet, roletat, ndërsa familjarët detyroheshin të improvizonin me çarçafë për t’i mbrojtur fëmijët nga rrezet e diellit dhe temperaturat e larta.
Prindi kishte deklaruar gjithashtu se dera që lidhte dhomën me tarracën nuk mbyllej gjatë natës, duke bërë që dhoma të ftohej, në një kohë kur aty trajtoheshin fëmijë me temperaturë, ethe dhe djersitje.
Ndërkohë, pas publikimit të raportimit nga Sinjali, i njëjti prind ka kontaktuar përsëri redaksinë dhe ka njoftuar se në repart kanë nisur përmirësime të dukshme.
“Prej momentit që e keni publikuar lajmin, kushtet janë përmirësuar. Nga një infermiere sa kanë qenë, tani janë bërë tri ose katër”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, janë rregulluar edhe dyert që më parë nuk mbylleshin, ndërsa ka nisur montimi i pajisjeve klimatizuese nëpër dhoma.
“Dyert i kanë rregulluar. Sot kanë filluar t’i montojnë klimat nëpër dhoma. Edhe perdet i kanë vendosur nëpër dhoma”, ka thënë prindi për Sinjalin.
Ttuje ka bërë të ditur se vendosja e perdeve ka nisur edhe në korridoret e repartit, ndërsa dhomat po pajisen me frigoriferë të siguruar përmes një donacioni.
“Përveçse në dhoma kanë vendosur perde, kanë filluar edhe në korridor. Po ashtu, dhomat po pajisen me frigoriferë donacion”, ka shtuar prindi për Sinjalin..
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


