Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj thirrjeve për zgjedhje të brendshme në parti pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, ku LDK-ja u rendit e treta me 18 mandate.
Kërkesat për zgjedhje brenda partisë janë bërë nga ish-nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, si dhe deputeti i zgjedhur Arben Gashi.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka shprehur besimin e tij te strukturat e LDK-së, duke vlerësuar se ato janë të vetëdijshme për rolin dhe angazhimin e tyre politik dhe nuk ndikohen nga, siç e cilësoi ai, propaganda kundër partisë apo nga qëndrimet e figurave që veprojnë sipas interesave momentale politike.
Ai ka theksuar se anëtarësia dhe strukturat e LDK-së e njohin punën dhe kontributin e tyre, nuk lejojnë që angazhimi i tyre të shpërfillet dhe mbeten mirënjohëse për mbështetjen e marrë.
“Strukturat e LDK-së janë të mençura, të pjekura dhe, mbi të gjitha, të qarta. Nuk bien pre e propagandës anti LDK tashmë të zakonshme e bajate; e as nuk ngatërrohen në identifikimin e oportunistëve politik, po aq të zakonshëm e të parashikueshëm. E dinë mirë çfarë përfaqësojnë dhe për çfarë angazhohen. Mbi të gjitha, nuk lejojnë që mundi e puna e tyre e përditshme të shpërdorohen e rezultatet t’u injorohen. Janë falënderues. E kur ke njerëz të tillë pas vetes, është e lehtë t’i përfaqësosh me dinjitet e respekt. Në Shtime, në një tjetër takim falënderimi me strukturat tona. Sa i qartë është mesazhi nga këto takime”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


