Të mërkurën në Bruksel, me shumicë votash, Parlamenti Evropian e ka miratuar raportin për Kosovën.
Këtë lajme e ka dhënë në një postim në “X”, raportuesi për Kosovën, estonezi Riho Terras.
Ai ka thënë se në favor të raportit votuan 412 europarlamentarë, kundër ishin 174, derisa abstenuan 58.
“Vazhdimi i reformave dhe progresi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja mbeten thelbësore në rrugën evropiane të Kosovës”, ka shkruar Terras.
Ndryshe, raporti shpreh mbështetje të fuqishme për synimet e Kosovës për integrim në BE, përsërit kërkesën për njohjen e pavarësisë nga të gjitha shtetet anëtare.
Por, raporti shpreh keqardhje për ngërçin politik dhe polarizimet që po e shoqërojnë vendin edhe një palë zgjedhje, si dhe për rrezikun që Kosova, si pasojë e kësaj, të humbë mjete të konsiderueshme financiare.
Raporti thekson se viti 2025 ka qenë i humbur për shkak të ngërçit politik dhe se edhe muajt e ardhshëm mund të humben për Kosovën për shkak të zgjedhjeve të 7 qershorit, në të cilin vendi shkon pas dështimit për të zgjedhur presidentin.
Gjithashtu, edhe mjetet financiare nga Plani i Rritjes mund të humben pasi Kosova nuk do të jetë në gjendje t’i përmbushë kriteret e nevojshme brenda periudhës së caktuar kohore.
Në raport është vlerësuar fakti se zgjedhjet e vitit 2025 janë zhvilluar në mënyrë të rregullt, është përshëndetur formimi i qeverisë, por nuk është siguruar edhe kompromisi për zgjedhjen e presidentit.
Poashtu, mbështetet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, i dorëzuar në dhjetor të vitit 2022, si dhe përsëritet thirrja për shtetet anëtare në Këshill që t’i bëjnë ftesë Komisionit Evropian për të dërguar pyetësorin pa vonesa të reja dhe të japë mendimin e bazuar në merita për aplikimin e vendit për anëtarësim në BE.
Është mirëpritur edhe deklarata për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, e cila ndihmon në përballjen me kërcënimet hibride të sigurisë në rajon. /Klankosova.tv


