Kosova ka hyrë në ditët vendimtare për zgjedhjen e presidentit të ri, ndërsa partitë politike kanë afat deri më 6 tetor për të arritur një marrëveshje. Në të kundërtën, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.
Gjatë të dielës, kryeministri Albin Kurti zhvilloi takime me liderët e dy partive opozitare, Bedri Hamzën e PDK-së dhe Lumir Abdixhikun e LDK-së.
Takimi me Abdixhikun përfundoi pa një deklaratë për media, ndërsa më pas Kurti priti në Qeveri kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën. Ky takim zgjati më shumë se dy orë.
Pas takimit, Hamza deklaroi se PDK-ja kërkon fillimisht miratimin përfundimtar të ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara në dy lexime, ndërsa më pas është e gatshme të japë votat për zgjedhjen e presidentit.
“Vazhdimisht po e them, kërkesa e PDK-së është aprovimi i ligjit në dy lexime, aprovimi final i ligjit. Pastaj PDK-ja është e gatshme që, në të njëjtën ditë, në seancën e radhës, të bisedojë, të japë zgjidhjen për presidentin dhe të japë votat për presidentin”, tha Hamza.
Ai shtoi se bisedimet kanë përfunduar, por se ende kanë mbetur disa ditë për të arritur një marrëveshje.
Ndërkohë, marrëveshja mes partive politike ende nuk është arritur, pavarësisht deklaratave publike se nuk dëshirojnë zgjedhje të reja.
Në këtë situatë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar përshkallëzim të veprimeve nëse nuk arrihet marrëveshje për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke paralajmëruar protesta nga e hëna.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


