Sinjali ka mësuar identitetin e tre personave të ndaluar pas incidentit me armë zjarri që ndodhi mbrëmjen e 3 tetorit në lagjen Ortakoll të Prizrenit.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Demokrat Morinën, Bekim Mollakuqën dhe Roland Mollakuqën, të cilët janë ndaluar për 48 orë pas përfundimit të intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës.
Rasti kishte ndodhur rreth orës 22:00, në rrugën “Faik Konica”, pas një mosmarrëveshjeje të çastit.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Bekim Mollakuqa po kalonte pranë parkut të lagjes me bashkëshorten e tij, kur kishte pasur një përplasje verbale me Demokrat Morinën, lidhur me fjalorin që ky i fundit po përdorte në vend publik.
Situata dyshohet se kishte eskaluar kur Morina kishte ekspozuar armën. Mollakuqa kishte reaguar duke tentuar t’ia kapë armën dhe gjatë ballafaqimit mes tyre ajo ishte shkrepur.
Si pasojë, Demokrat Morina kishte pësuar plagë në dorën e majtë, në dy gishta.
Në incident ishte përfshirë më pas edhe Roland Mollakuqa, i cili kishte vrapuar drejt vendit të ngjarjes për t’i dalë në ndihmë babait të tij dhe dyshohet se kishte sulmuar Morinën.
Ky i fundit ishte larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa arma kishte mbetur aty dhe më pas ishte sekuestruar nga Policia së bashku me një gëzhojë, një karikator dhe tetë fishekë.
Pas veprimeve hetimore dhe konsultimit me Prokurorin e Shtetit, të tre të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Rasti po trajtohet për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Hetimet për sqarimin e plotë të rolit të secilit prej tyre po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


