Lumir Abdixhiku, kandidat për kryeministër nga LDK-ja, mbrëmjen e sotme e ka kaluar në fshatin Pobërgjë të Vokshit, në Deçan.
Atje, ai thotë të ketë pasur një pritje të jashtëzakonshme e me një entuziazëm të veçantë.
“Mbështetja për LDK-në po ndihet fort. Ka energji, ka besim, ka një frymë të re bashkimi që po rritet çdo ditë. Kur qytetarët nisin të besojnë sërish, kur shpresa kthehet në bisedë të përditshme, e kupton se diçka e madhe po lëviz”, tha kreu i LDK-së.
Në fund, ai falënderoi të pranishmit për, siç tha, pritjen kaq të ngrohtë.
“Pobërgja sonte na dha shumë zemër”, përfundoi Abdixhiku.
Kandidati për kryeministër ishte i shoqëruar nga kandidatja për presidente, bartësja e listës së LDK-së, Vjosa Osmani.
Edhe Osmani publikoi pamje nga ky takim, me një mbishkrim: “Të fala nga Vokshi”. /Klankosova.tv


