Real Madridi i ka vendosur një afat të qartë Vinicius Junior për rinovimin e kontratës, pasi klubi madrilen raportohet se ka bërë ofertën e fundit për yllin brazilian.
Sipas gazetës spanjolle Marca, “Los Blancos” i kanë ofruar Viniciusit një marrëveshje me kushte të pandryshueshme, që konsiderohet si një ofertë “merre ose lëre”.
Nëse sulmuesi brazilian nuk pranon rinovimin, Real Madridi është i gatshëm ta shesë gjatë kësaj vere.
Vendimi i klubit vjen pas muajsh negociatash pa një marrëveshje konkrete, ndërsa interesimi i shtuar nga Arsenali ka bërë që madrilenët të kërkojnë një zgjidhje për të mos rrezikuar largimin e lojtarit pa përfituar financiarisht.
Rinovimi i Viniciusit mbetet një prioritet për drejtuesit e Real Madridit, por klubi nuk dëshiron të prishë strukturën e pagave në skuadër dhe nuk planifikon të bëjë përjashtime për asnjë futbollist.
Në rast se braziliani refuzon rinovimin dhe nuk pranon një transferim këtë verë, mediat spanjolle raportojnë se nuk përjashtohet as mundësia që ai të mbetet në bankinë, pasi Real Madridi synon të ruajë ekuilibrin dhe filozofinë e skuadrës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


