Qeveria e Kosovës ka vlerësuar se nuk ka pengesa ligjore për nismën e PDK-së që synon ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Vendimi i 2 tetorit ia dërgon Kuvendit mendimin, duke e lënë procedurën e projektligjit në duart e deputetëve.
Vendimi hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare.
Në formulimin kryesor, Qeveria thotë se “nuk ka pengesa ligjore” për nismën për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053.
Ministria e Drejtësisë, megjithatë, e përshkruan çështjen si juridikisht të ndërlikuar dhe kërkon shqyrtim të mëtejshëm parlamentar.
“Çështja në fjalë është komplekse, pasi ndërlidhet një sërë rregullimesh juridike të natyrave të ndryshme”, thuhet në mendimin e Ministrisë.
Sipas Ministrisë, ndryshimet prekin çështje kushtetuese, funksionimin e Speciales, detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, marrëveshjet përkatëse dhe procedurat gjyqësore në zhvillim.
Departamenti Ligjor i Ministrisë thotë se ka shqyrtuar ndërhyrjet e propozuara në juridiksionin lëndor, kohor dhe territorial të Dhomave dhe Prokurorisë së Specializuar.
Ai ka shqyrtuar transferimin e rasteve në gjykatat vendore, dënimin maksimal, faljen e të dënuarve dhe kompetencat e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese.
Për këto ndryshime, Ministria thotë se “nuk paraqesin, në vetvete, kolizion të drejtpërdrejtë me legjislacionin tjetër” të sistemit kosovar të drejtësisë.
Por vlerësimi kushtetues dhe ndërkombëtar, sipas saj, duhet të vazhdojë, sidomos në raport me Amendamentin 24 dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.
Ministria përmend marrëveshjen ndërkombëtare Kosovë-BE për EULEX-in, të ratifikuar me Ligjin 04/L-274, dhe detyrimet që burojnë prej saj.
Kjo, sipas mendimit, “kërkon shqyrtim të veçantë dhe të specializuar” gjatë procedurës legjislative në Kuvend dhe në komisionet parlamentare kompetente.
Theksi vendoset veçanërisht te Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Rregullore, ku pritet të bëhet “shqyrtimi më i thelluar.”
Në përfundim, Ministria vlerëson se projektligji “kërkon vlerësim të mëtejshëm të specializuar në kuadër të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
Një pjesë tjetër e dosjes është opinioni për përputhshmërinë me legjislacionin e BE-së, i hartuar në Zyrën e Kryeministrit.
Ky opinion thotë se projektligji synon mekanizma të strukturuar institucionalë, kornizë të qartë juridiksionale dhe ruajtjen e garancive themelore të procesit penal.
Në përfundimin e tij, opinioni përmend “garancitë e gjykimit të drejtë, paanshmërinë gjyqësore dhe sundimin e ligjit”.
Dokumenti e lidh këtë vlerësim me standardet ndërkombëtare dhe të BE-së për pavarësinë gjyqësore, të drejtat e të akuzuarit dhe drejtësinë penale. Mendimi i Qeverisë
Ai rikujton se baza juridike e Speciales lidhet me nenin 162 të Kushtetutës, Amendamentin 24 dhe raportin e Këshillit të Evropës.
Po ashtu, përmenden letrat e shkëmbyera më 2014 dhe ligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Dosja përmban edhe vlerësimin buxhetor të Ministrisë së Financave, sipas të cilit projektligji nuk parashihet të ketë kosto shtesë buxhetore.
Nëse krijohen obligime të reja financiare gjatë zbatimit, ato duhet të mbulohen nga ndarjet vjetore të institucioneve përgjegjëse për vitet 2026-2028.
Qeveria nuk ka vendosur pengesë ligjore për nismën, por çështjet kushtetuese dhe ndërkombëtare i ka lënë për shqyrtim të mëtejshëm parlamentar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


