Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve, Malë Gashi, ka bërë të ditur se zjarri i së premtes në magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë ishte një prej zjarreve më të mëdha të dekadës së fundit.
Gjatë intervenimit për shuarjen e zjarrit, një zjarrfikës është lënduar, ndërsa ekipet e Brigadës së Zjarrfikësve u përballën për orë të tëra me flakët, deri pas mesnate.
Gashi, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se në përballimin e zjarrit u mobilizuan me shpejtësi edhe zjarrfikës që nuk ishin në orarin e rregullt të punës.
“Dje, deri pas mesnate, ekipet tona u përballën me njërin prej zjarreve më të mëdha të dekadës së fundit. Në një situatë të tillë, ekipet e BPZ-së bënë gjithçka që ishte e mundur për ta ndërprerë përhapjen dhe vënë zjarrin nën kontroll. Në përballje u mobilizuan me shpejtësi edhe kolegë që nuk ishin në orar të rregullt pune. Shpreh respektin dhe mirënjohjen time të thellë për të gjithë kolegët, të cilët dhanë maksimumin, me përkushtim dhe guxim, deri në orët e vona të natës. Një falënderim i veçantë për ekipet e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit nga Lipjani dhe Drenasi, të cilat iu përgjigjën thirrjes dhe na u bashkuan në përballimin e këtij zjarri. Ju lumtë, kolegë! Respekt për punën, sakrificën tuaj.”, shkroi ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


