Një tentim për t’i ikur policisë ka përfunduar me ndalim dhe zbulim të substancave narkotike në Vushtrri.
Ngjarja ka ndodhur më 16 prill rreth orës 16:00 në rrugën “Skënderbeu”.
Siç mëson Sinjali, patrulla policore fillimisht ka tentuar të ndalojë një veturë për shkak të një kundërvajtjeje në trafik, por drejtuesi nuk i është bindur urdhrit të policisë.
Pas një ndjekjeje të shkurtër, policia ka arritur ta ndalojë veturën, në të cilën ndodheshin drejtuesi dhe dy pasagjerë.
Gjatë kontrollit, është konstatuar se drejtuesi ishte nën ndikim të alkoolit, ndërsa në ulësen e pasme të veturës është gjetur dhe konfiskuar një sasi prej 10 gramësh substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.
Sinjali mëson se lidhur me rastin është shoqëruar në polici Art Ahmeti, rreth 26-vjeçar, së bashku me dy personat e tjerë.
Pas intervistimit dhe në konsultim me prokurorin kujdestar, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti është iniciuar si “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” dhe i është referuar hetuesisë për veprime të mëtejshme.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


