Mungon vetëm ndonjë detaj, pasi Sylvinho e ka gati listën për grumbullimin e parë në kualifikueset e Botërorit 2026.
Kombëtarja shqiptare e futbollit luan kundër Anglisë më 21 mars në Londër dhe tre ditë më vonë në Tiranë mbërrin Andorra, teksa Shqiponjat kërkojnë të bëjnë një nisje të mbarë në Grupin K kualifikues, kjo për të harruar dështimin në Ligën e Kombeve.
Braziliani vjen edhe këtë herë me risi, duke afruar në ekip mesfushorin e Malishevës, Etnik Brrutin. Djaloshi ishte kapiten i Kosovës U-21 dhe kalimi te Shqipëria pati jo pak polemika nga ana tjetër e kufirit (imagjinar), shkruan ReportTv.
Ndërkohë, mësohet se Keidi Bare i Real Zaragozas e kishte një ftesë për t’u rikthyer në ekip, por mesfushori ka pësuar një dëmtim në Spanjë dhe nuk pritet të jetë i gatshëm.
Veç tij edhe Broja, Tuci dhe Hysaj nuk duket se do jenë gati për ndeshjet e marsit, ndërsa shqetësojnë edhe Ismajli dhe Manaj. Dilemë është afrimi i Brojës, pasi duket se sulmuesi po kryen stërvitje të plotë dhe Everton mund ta përfshijë në listën e fundjavës për në Premier League.
Nëse merr minuta, Broja mund të thirret edhe nga Sylvinho, me vetë trajnerin që ka kontaktuar klubin nga Liverpooli.
Pritet që e shtuna e 15 marsit të jetë dita kur Sylvinho do zyrtarizojë listën me emrat kuqezi.
The post Nisin “ethet” e Kombëtares shqiptare – Brruti risi, Bare dëmtohet sërish e Broja i dyshimtë appeared first on Klan Kosova.


