Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë nisur deklaratat përfundimtare në çështjen penale ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.
Të pesë të akuzuarit përballen me akuza për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Prokuroria e Specializuar ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Thaçin, nga tre vjet për Smakajn, Kilajn dhe Fazliun, ndërsa për Kuçin ka kërkuar nëntë muaj burgim.
Ekipet e Mbrojtjes i kanë kundërshtuar këto kërkesa dhe kanë kërkuar që të gjithë të akuzuarit të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Gjatë deklaratave përfundimtare, avokatja e Thaçit, Sophie Menegon, tha se nuk ka ekzistuar ndonjë grup që ka synuar pengimin e drejtësisë. Ajo argumentoi se provat e paraqitura nga Prokuroria nuk janë të mjaftueshme për të mbështetur akuzat.
Mbrojtja ka theksuar gjithashtu se veprimet për të cilat akuzohet Thaçi nuk kanë ndikuar në procesin gjyqësor dhe se ai akuzohet për tentativë ndërhyrjeje, e jo për kryerjen e veprës penale.
Të gjitha ekipet e Mbrojtjes kanë përfunduar parashtrimet e tyre. Seanca pritet të vazhdojë me përgjigjet dhe komentet e palëve.
Pas përfundimit të deklaratave, Gjykatësi i Vetëm do të shqyrtojë argumentet dhe provat e paraqitura para se të marrë vendimin për këtë çështje.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


