Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka reaguar lidhur me demonstratat e paralajmëruara për 16 shtator, ditën kur pritet të shpallet aktgjykimi në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së.
Në njoftim, ambasada u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin zonat ku pritet të zhvillohen protestat dhe të kenë kujdes pranë grumbullimeve të mëdha të njerëzve.
Sipas ambasadës, demonstratat mund të shkaktojnë mbyllje të rrugëve dhe pengesa të mëdha në trafik, ndaj qytetarëve u është këshilluar të kufizojnë lëvizjet dhe të shmangin rrugët që kalojnë në zonat e prekura.
Po ashtu, personeli i qeverisë amerikane është këshilluar të shmangë udhëtimet e panevojshme pranë protestave dhe të mos i dërgojë fëmijët në shkollë më 16 shtator për shkak të mundësisë së pengesave në trafik.
Ambasada ka bërë të ditur se do të jetë e hapur, ndërsa shërbimet konsullore do të ofrohen në mënyrë të kufizuar sipas nevojës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


