Monday, September 14, 2026
spot_img
HomeLajme16 shtatori në Kosovë, Ambasada amerikane lëshon paralajmërim për demonstrata

16 shtatori në Kosovë, Ambasada amerikane lëshon paralajmërim për demonstrata

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka reaguar lidhur me demonstratat e paralajmëruara për 16 shtator, ditën kur pritet të shpallet aktgjykimi në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së.

Në njoftim, ambasada u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin zonat ku pritet të zhvillohen protestat dhe të kenë kujdes pranë grumbullimeve të mëdha të njerëzve.

Sipas ambasadës, demonstratat mund të shkaktojnë mbyllje të rrugëve dhe pengesa të mëdha në trafik, ndaj qytetarëve u është këshilluar të kufizojnë lëvizjet dhe të shmangin rrugët që kalojnë në zonat e prekura.

“Disa organizata po planifikojnë demonstrata të mëdha për të mërkurën, më 16 shtator, në qendër të Prishtinës dhe në qytete të tjera të mëdha të Kosovës. Këto demonstrata mund të shkaktojnë grumbullime të mëdha njerëzish, mbyllje rrugësh dhe pengesa të rënda në trafik. Këshillohet të kufizoni lëvizjet në zonën përreth vendbanimit tuaj dhe të shmangni udhëtimin drejt vendit të punës apo shkollës nëse rruga juaj kalon përmes zonave të prekura, pasi mund të mos arrini ta përfundoni udhëtimin në kohë.”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, personeli i qeverisë amerikane është këshilluar të shmangë udhëtimet e panevojshme pranë protestave dhe të mos i dërgojë fëmijët në shkollë më 16 shtator për shkak të mundësisë së pengesave në trafik.

Ambasada ka bërë të ditur se do të jetë e hapur, ndërsa shërbimet konsullore do të ofrohen në mënyrë të kufizuar sipas nevojës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT