Sinjali ka mësuar identitetin e tre personave të arrestuar pas incidentit të rëndë gjatë një aksioni të Njësisë së Antidrogës në Pestovë të Vushtrrisë, ku një zyrtar policor u godit me veturë dhe më pas shtiu me a*më në vetëmbrojtje.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se të arrestuarit janë Leotrim Behrami rreth 25-vjeçar, Luki Sahiti rreth 52-vjeçar dhe Flamur Sahiti rreth 34-vjeçar, të cilët janë ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit.
Ngjarja ka ndodhur më 11 gusht, rreth orës 16:20, derisa Antidroga po zhvillonte një aksion dhe kishte identifikuar një veturë në lëvizje si të dyshimtë.
Gjatë përpjekjes së Policisë për ta ndaluar automjetin, vetura dyshohet se i është vërsulur dhe e ka goditur një zyrtar policor të Stacionit të Vushtrrisë, i cili po asistonte në operacion.
Sipas informacioneve të rastit, polici i goditur në atë moment ka shtënë me a*më në vetëmbrojtje, por nuk ka goditur asnjë person. Ai më pas ka marrë trajtim mjekësor për lëndimet e pësuara.
Vetura është ndaluar dhe tre personat janë arrestuar nga Njësia e Antidrogës. Leotrim Behrami figuron si drejtuesi i automjetit.
Ndërkohë, pas analizimit të provave dhe konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është rikualifikuar nga “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” në “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Behrami është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


