Thursday, August 13, 2026
spot_img
HomeLajmeMurat Dërnjani apo “Abu Yahya”? – Beteja për 20 vitet e burgimit...

Murat Dërnjani apo “Abu Yahya”? – Beteja për 20 vitet e burgimit (VIDEO)

Murat Dërnjani u dënua fillimisht me pesë vjet burgim për organizim dhe pjesëmarrje në luftëra të huaja. Por, sipas avokatit të tij, në ditën kur pritej të lirohej, ai u arrestua sërish – këtë herë nën dyshimin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“E kanë liru dhe, si ka dalë jashtë kapisë së qendrës së burgut, e kanë ndalë për këto vepra”, thotë avokati i tij, Murat Demolli.

Dërnjani e kishte pranuar vetëm veprën për të cilën ishte dënuar me pesë vjet burgim. Për akuzat e reja, ai ka mohuar çdo përgjegjësi.

“As një vepër nuk e ka pranu. E ka pranu vetëm pjesën e parë që ka qenë pjesëmarrës dhe është dënu për atë. Kurrgjë tjetër”, deklaron Demolli.

Në prill të vitit 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj Dërnjanit për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, për veprime që, sipas Prokurorisë, lidhen me periudhën e konfliktit në Siri dhe Irak, veçanërisht në Raqqa.

Sipas aktakuzës, Dërnjani dyshohej se në Siri kishte vepruar me emrin “Abu Yahya Al Almani” dhe se ishte përfshirë në sistemin e skllavërimit të grave dhe vajzave jazide. Prokuroria e akuzoi për blerje, mbajtje dhe shitje të tyre, si dhe për dhunë seksuale, skllavëri seksuale, privim të lirisë, rrahje, konvertim të detyruar dhe punë të detyruar.

Një prej gjashtë dëshmive kryesore në këtë proces ishte ajo e dëshmitares Maha, të cilës redaksia nuk do t’ia publikojë emrin e plotë. Në deklaratën e saj, ajo pretendoi se personi i njohur si Abu Yahya e kishte blerë atë dhe se kishte qëndruar rreth një vit me të në Raqqa.

“Abu Yahya ka abuzuar seksualisht me mua gjatë gjithë kohës. Nuk kam mundur të rezistoj, sepse ishte i dhunshëm. Gjithçka ka qenë kundër dëshirës sime. Kam qenë fëmijë kur më ka ndodhur kjo”, deklaroi dëshmitarja Maha.

Ajo pretendoi gjithashtu se ishte mbajtur e izoluar, se kujdesej për fëmijët dhe shtëpinë dhe se në atë shtëpi silleshin edhe vajza të tjera.

Në anën tjetër, Dërnjani e mohon se ka qenë pjesë e ISIS-it dhe mohon se ka kryer krimet për të cilat akuzohet.

“Kurrë, kurrë s’kam qëndru në Irak. As rrugën për Irak nuk e di qysh shkohet prej Sirisë në Irak”, ka deklaruar Dërnjani.

Ai pretendon se dëshmitarët nuk e kanë identifikuar atë drejtpërdrejt dhe se disa prej përshkrimeve të tyre nuk përputheshin me pamjen e tij.

“Askush nuk po më inkriminon mu, me thanë ‘hej, qiky është ai që më ka bërë keq’”, ka deklaruar ai.

Në gusht të vitit 2025, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Dërnjanin me 20 vjet burgim për krime kundër njerëzimit, ndërsa nuk e shpalli fajtor për veprën e krimeve të luftës.

Vendimi u anulua nga Gjykata e Apelit më 30 prill të këtij viti dhe rasti u kthye në rigjykim. Apeli evidentoi, ndër të tjera, paqartësi dhe kontradikta në aktgjykimin e parë, mungesë të arsyetimit për përdorimin e disa deklaratave të dëshmitareve dhe mosllogaritjen e kohës së kaluar nga Dërnjani në paraburgim në Turqi.

Por në rigjykim, Gjykata Themelore e shpalli sërish fajtor dhe më 22 qershor e dënoi me 20 vjet burgim.

Sipas aktgjykimit të ri, gjykata arriti në përfundimin se Dërnjani ishte personi që njihej si Abu Yahya Al Almani dhe se kishte vepruar në Raqqa si pjesëtar i ISIS-it. Përveç dëshmive të viktimave, gjykata u mbështet edhe në dokumente të administruara si prova, përfshirë dokumente të strukturave të ISIS-it dhe një dokument të vitit 2016 për lirimin e dy robëreshave.

Mbrojtja sërish e ka ankimuar vendimin.

Avokati Demolli pretendon se gjykata nuk i ka marrë parasysh vërejtjet e Apelit dhe se disa dëshmi nuk duhej të kishin peshë të njëjtë, pasi dëshmitaret nuk ishin ballafaquar drejtpërdrejt me palët në proces.

“Dënimi është shumë i lartë, shumë i lartë edhe sikur t’i kishte bërë ato vepra. Dënimi është në maksimum”, thotë Demolli.

Ai paralajmëron se nëse Apeli nuk e ndryshon vendimin, mbrojtja do të kërkojë edhe shqyrtim në Gjykatën Supreme.

Kështu, rasti i Dërnjanit vazhdon të mbetet mes dy versioneve diametralisht të kundërta: Prokuroria dhe gjykata e lidhin atë me personin “Abu Yahya Al Almani” dhe krimet ndaj grave e vajzave jazide, ndërsa Dërnjani dhe mbrojtja e tij e mohojnë këtë identifikim dhe kundërshtojnë provat mbi të cilat është mbështetur dënimi.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT