FC Ferizaj ka reaguar ashpër pas finales së Kupës së Kosovës ndaj Dukagjinit, duke drejtuar kritika të forta ndaj gjyqtarit Genc Nuza.
Klubi ferizajas publikoi një reagim në rrjetet sociale zyrtare, ku shkroi: “Genc Nuza, urime Kupa e Kosovës. Turpi ndryshe nuk është! Ne medalje nuk marrim”.
Reagimi erdhi pas tensioneve të krijuara në minutat e fundit të finales, kur Ferizaj për disa minuta e braktisi fushën, i pakënaqur me vendimet e gjyqtarit dhe kohën shtesë të akorduar.
Sipas raportimeve nga stadiumi, gjyqtari fillimisht kishte dhënë katër minuta lojë shtesë, gjë që irritoi futbollistët dhe stafin e Ferizajt, të cilët pretendonin se kishte pasur më shumë ndërprerje dhe vonesa gjatë lojës.
Situata u tensionua edhe më shumë pas një rasti të diskutueshëm në zonë, ku Ferizaj pretendoi për penallti, por Nuza nuk e akordoi dhe nuk e rishikoi rastin në VAR.
Në vazhdim, kapiteni i Ferizajt, Haxhimusa, u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja, çka çoi në eskalimin e situatës.
Ferizaj u rikthye në fushë pas rreth 10 minutash, por reagimi i klubit pas ndeshjes tregon se pakënaqësia ndaj arbitrazhit ka mbetur e madhe.
Deri tani nuk ka një sqarim të detajuar nga klubi lidhur me vendimin “mos t’i marrim medaljet”, ndërsa priten edhe reagimet e institucioneve përkatëse për incidentet e finales.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


