Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se 53 deputetët e VV-së do ta mbështesin kandidatin e LDK-së për nënkryetar të Kuvendit, nëse ai e përkrah marrëveshjen mes dy partive për presidentin.
LDK-ja ka propozuar Kujtim Shalën për këtë pozitë. Megjithatë, Shala është shprehur kundër çdo marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Deputetët që janë pro marrëveshjes LVV-LDK, natyrisht që e kanë edhe mbështetjen e 53 deputetëve të Lëvizjes”, ka thënë Nagavci.
Ndërkohë, Nagavci u ka bërë thirrje deputetëve të PDK-së dhe LDK-së që të dielën të marrin pjesë në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.
Ajo ka kërkuar që grupet parlamentare të bëjnë propozimet e tyre dhe LDK-ja të marrë pjesë në votimin e kandidatit të saj për nënkryetar.
“Edhe një herë shfrytëzojmë këtë mundësi që të bëjmë thirrje që ditën e diel, në ora 10:00, ashtu siç e ftojë vazhdimin e seancës kryetarja e Kuvendit, të jenë të pranishëm në sallë dhe të bëjnë propozimet e tyre, gjegjësisht LDK-ja të marrë pjesë në votimin e kandidatit të tyre për nënkryetar”, tha Nagavci.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


