Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka pritur sot në takim të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet aktuale në vend dhe situatën e krijuar pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Përmes një njoftimi, Gjini ka bërë të ditur se gjatë takimit e ka informuar për qëndrimin e Aleancës dhe përkushtimin e saj për mbrojtjen e interesit të shtetit dhe demokracisë.
“E njoftova znj. Prattipati për qëndrimin e Aleancës dhe përkushtimin tonë të palëkundur në mbrojtje të interesit të shtetit dhe demokracisë. Në këtë kohë sfidash, Aleanca e konsideron përgjegjësi të mos lejojë cenimin e të arriturave të Kosovës dhe asnjë hap prapa në rrugën e saj euroatlantike”, ka shkruar Gjini.
Ai ka shprehur gjithashtu mirënjohje për rolin e SHBA-së dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.
“Znj. Prattipati e falënderova për rolin e saj aktiv dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në proceset e rëndësishme që po kalon vendi ynë”, ka deklaruar Gjini.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


