Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po e bllokon krijimin e institucioneve, pas dështimit të seancës së sotme për përfundimin e konstituimit të Kuvendit.
Edhe pse Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje u zgjodh kryetare e Kuvendit, procesi nuk arriti të përmbyllej. Seanca u bllokua te zgjedhja e nënkryetarëve dhe u shty për të premten.
Musliu ka reaguar ashpër pas zhvillimeve, duke thënë se ajo që, sipas saj, VV-ja ua atribuonte partive të tjera gjatë muajve të fundit, u dëshmua sot në Kuvend.
“Mashtruesve u doli boja. Tre muaj me radhë VV-ja bëri propagandë, shpiku fajtorë për bllokadë dhe ua hodhi të tjerëve dështimin e vet. Sot, para gjithë Kosovës, e zbuluan vetë skemën e tyre bllokuese”, ka shkruar Musliu.
Ajo e ka cilësuar situatën jo vetëm si dështim politik, por edhe si “hipokrizi politike”.
“Sot propaganda u përplas me realitetin dhe VV-ja mbeti pa alibi. VV firmosi sot se ata janë bllokuesit e institucioneve dhe pengmarrësit e shtetit!”, ka deklaruar Musliu.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


