Wednesday, September 9, 2026
spot_img
HomeLajmeBE i jep Spanjës 114.7 milionë euro për krizën e migrantëve në...

BE i jep Spanjës 114.7 milionë euro për krizën e migrantëve në Ceuta

Bashkimi Evropian ka ndarë 114.7 milionë euro për Spanjën, në kuadër të fondeve të emergjencës, për përballimin e krizës së migracionit në Ceuta, e cila është përshkallëzuar që nga fundi i korrikut.

Komisioni Evropian e ka cilësuar këtë financim si një akt solidariteti me Spanjën, duke theksuar se mbështetja synon forcimin e kontrollit kufitar dhe kapaciteteve për menaxhimin e fluksit të migrantëve.

Nga shuma totale, 82.7 milionë euro do të sigurohen përmes Fondit për Azilin, Migracionin dhe Integrimin, ndërsa 32 milionë euro përmes instrumentit për menaxhimin e kufijve dhe vizave.

Pjesa kryesore e fondeve do të përdoret për forcimin e mbikëqyrjes së kufirit dhe infrastrukturës së sigurisë, përfshirë kamera termike, sisteme monitorimi, bova dhe dronë nënujorë.

Financimi do të mundësojë gjithashtu angazhimin e stafit dhe pajisjeve shtesë, krijimin e hapësirave për identifikimin dhe procedimin e migrantëve, si dhe mbështetjen për kthimin e personave që ndodhen në Ceuta në mënyrë të parregullt.

Një pjesë e ndihmës do të shkojë edhe për rritjen e kapaciteteve pritëse, veçanërisht për kujdesin ndaj të miturve të pashoqëruar.

Në terren pritet të vazhdojë edhe mbështetja nga agjencitë evropiane. Frontex do të vijojë operacionin e përbashkët Minerva dhe është e gatshme të zgjerojë planet e saj operacionale në Spanjë gjatë vitit 2027.

Ndërkohë, Europol do të vazhdojë bashkëpunimin me autoritetet spanjolle në hetimet kundër rrjeteve të trafikimit të migrantëve, ndërsa Agjencia e BE-së për Azilin do të ofrojë ndihmë për intervista dhe përkthime.

Komisioni Evropian dhe agjencitë përkatëse do të krijojnë gjithashtu një grup të përbashkët koordinues me autoritetet spanjolle, i cili pritet të zhvillojë takimin e parë gjatë kësaj jave.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes së financimit, Komisioni Evropian do të ketë 30 ditë kohë për të paguar deri në 80 për qind të shumës së akorduar. Fondet mund të përdoren edhe për shpenzime të pranueshme të kryera që nga fillimi i situatës emergjente.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT