Wednesday, May 27, 2026
spot_img
HomeLajmeMuriqi pranë rikthimit te Fenerbahçe? Mediat turke raportojnë marrëveshje të arritur

Muriqi pranë rikthimit te Fenerbahçe? Mediat turke raportojnë marrëveshje të arritur

Vedat Muriqi mund të jetë një nga protagonistët kryesorë të merkatos verore, pasi raportimet nga Turqia sugjerojnë se sulmuesi kosovar është shumë afër rikthimit te Fenerbahçe.

Sipas gazetarit Sezgin Gelmez nga HT Spor, palët tashmë kanë arritur marrëveshje paraprake dhe mbetet vetëm zyrtarizimi i transferimit, sapo të sqarohet situata drejtuese në klubin turk. Muriqi zhvilloi një sezon të shkëlqyer në La Liga me Mallorcën, ku realizoi 22 gola, megjithatë skuadra nuk arriti të mbijetojë në elitë.

Transferimi i mundshëm i sulmuesit lidhet edhe me zgjedhjet presidenciale në Fenerbahçe, ku kandidatët Aziz Yıldırım dhe Hakan Safi po punojnë për afrime të rëndësishme në ekip.

Sipas raportimeve, Aziz Yıldırım tashmë ka arritur marrëveshje me Muriqin dhe, nëse merr drejtimin e klubit, pritet ta kompletojë transferimin menjëherë.

Megjithatë, interesimi për bomberin kosovar mbetet i fortë edhe nga pala tjetër, pasi edhe Hakan Safi thuhet se e mbështet afrimin e tij në skuadër.

Muriqi kishte luajtur më parë me Fenerbahçen gjatë sezonit 2019/20, ku në 36 paraqitje shënoi 17 gola dhe dhuroi 7 asistime, duke fituar zemrat e tifozëve turq.

Pas formës së lartë të treguar me Mallorcën, gjithnjë e më shumë po përflitet për një rikthim të tij në Kadıköy, ndërsa sipas mediave turke marrëveshja konsiderohet pothuajse e mbyllur dhe pritet vetëm konfirmimi zyrtar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT