Lionel Messi e ka nisur aventurën e tij si pronar i klubit spanjoll Eldense në mënyrën më të mirë të mundshme.
Vetëm një ditë pas zyrtarizimit të blerjes së 100 për qind të klubit nga argjentinasi, Eldense mposhti 4-1 Real Oviedon, duke regjistruar fitoren e parë që nga kalimi i pronësisë te Messi.
Eldense e nisi ndeshjen në mënyrën më të keqe, pasi Oviedo kaloi në epërsi vetëm pak sekonda pas fillimit. Megjithatë, skuadra e drejtuar nga Javi Calleja reagoi në pjesën e dytë dhe përmbysi rezultatin.
Roberto Lopez dhe Fidel shënuan nga pika e bardhë, ndërsa Aingeru Olabarrieta dhe Jorge Rastrojo vulosën fitoren 4-1 në minutat e fundit.
Messi e ndoqi ndeshjen nga Argjentina dhe publikoi një fotografi teksa po shikonte takimin, duke treguar mbështetjen e tij për klubin e ri.
Përveç suksesit në fushë, ndikimi i argjentinasit është ndier edhe jashtë saj. Pas zyrtarizimit të blerjes, llogaria zyrtare e Eldenses në rrjetet sociale u rrit ndjeshëm, nga rreth 140 mijë në mbi 210 mijë ndjekës brenda 12 orësh.
Blerja e klubit, e zyrtarizuar më 1 tetor, ende duhet të marrë miratimin përkatës nga Këshilli i Lartë i Sporteve (CSD), përpara se procesi të përfundojë administrativisht.
Kështu, aventura e Messit te Eldense ka nisur me një fitore të thellë dhe me një rritje të madhe të vëmendjes ndërkombëtare ndaj klubit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


