Saturday, September 12, 2026
spot_img
HomeLajmeMe pjesëmarrje masive, përfundon “Marshi për Liri” në Prishtinë

Me pjesëmarrje masive, përfundon “Marshi për Liri” në Prishtinë

Me pjesëmarrje të madhe të qytetarëve, ka përfunduar në Prishtinë “Marshi për Liri”, i organizuar nga platforma qytetare “Liria Ka Emër” në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.

Marshi u mbajt sot në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa pjesëmarrës nga qytete të ndryshme të Kosovës dhe diaspora iu bashkuan organizimit.

Programi nisi me një hapje artistike nga Arbnora Zogiani, e cila interpretoi këngën “Pa duvak s’ka me u ba nuse”, ndërsa më pas organizimi vazhdoi me fjalimet e përfaqësuesve të platformës “Liria Ka Emër”, Ismail Tashollit dhe Eliza Hoxhës.

Në kuadër të programit folën edhe Hysni Gucati, Lirjona Sylejmani, vajza e dëshmorit të kombit Bajram Sylejmani, si dhe Buna Mustafa, vajza e Sali Mustafës – Calit.

Pjesë e Marshit ishin edhe kryetari i Aleancës për Kosovën, Ardian Gjini, dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

Atmosfera u shoqërua edhe me muzikë, ku Arif Vladi interpretoi “Marshin e UÇK-së”, ndërsa në përmbyllje Shkurte Fejza këndoi “Mora Fjalë”.

“Marshi për Liri” u mbajt në kohën kur në Hagë po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT