Platforma qytetare “Liria Ka Emër” ka falënderuar rreth 100 mijë qytetarë që morën pjesë në “Marshin për Liri” të mbajtur sot në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Përmes një reagimi, organizatorët kanë thënë se qytetarë nga të gjitha komunat e Kosovës, trojet shqiptare dhe diaspora u bashkuan në marsh me mesazhin “Liri për çlirimtarët!”.
“Liria Ka Emër” ka shprehur mirënjohje për familjet e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e luftës, bashkëluftëtarët, qytetarët, diasporën, artistët, sportistët, përfaqësuesit politikë, organizatat, bizneset, mediat dhe vullnetarët që kontribuuan në organizimin e marshit.
Sipas platformës, marshimi ishte një mesazh solidariteti me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, ndërsa theksuan se vëmendja tashmë është te 16 shtatori, kur pritet një vendim në procesin gjyqësor.
“Tani sytë e Kosovës janë drejt 16 shtatorit. Atë ditë, kërkesa jonë është e qartë: Liri për Hashim Thaçin. Liri për Kadri Veselin. Liri për Jakup Krasniqin. Liri për Rexhep Selimin”, thuhet në reagim.
Platforma ka përmbyllur mesazhin me thirrjen: “Në emër të popullit, shpalleni TË PAFAJSHËM!” dhe sloganin “Kosova po pret. Liria ka emër”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


