Monday, May 4, 2026
spot_img
HomeShowbizMe gojën plot Kurti premtoi 160 çerdhe, por zbrazët e la vendin...

Me gojën plot Kurti premtoi 160 çerdhe, por zbrazët e la vendin në këtë aspekt. As 9% nuk i realizoi!

160 sosh ishte numri i çerdheve që u premtuan nga Lëvizja Vetëvendosje në fushatën elektorale të vitit 2021 para zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Kur LVV mori pushtetin, premtimi u doli ndryshe, shifra e lartcekur nuk u realizua.

Pos fushatës, Kurti vazhdoi me premtimin e njëjtë edhe kur doli në krye të qeverisë.

Prandaj, do të investojmë në shkolla dhe çerdhe publike me kujdes dhe edukim cilësor dhe shujta falas. Përmes investimeve në 160 çerdhe dhe në adaptimin e hapësirave në institucione shkollore, përfshirja në edukimin e fëmijërisë së hershme rritet nga 7% në 24% për fëmijët e moshës 0-5 vjeç dhe nga 38% në 64% për fëmijët e moshës 3-6 vjeç. Kur kësaj i shtohet rritja e kapaciteteve në sektorin privat, atëherë mund të pritet rritje edhe më e madhe e pjesëmarrjes“, ka thënë Kurti më 17 maj të vitit 2021 në Kuvendin e Kosovës kur prezantoi programin e qeverisë.

Ndërsa, Kurti të njëjtin premtim e dha edhe në videon kur e prezantoi planprogramin e tij për zgjedhjet e 14 shkurtit të 2021.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, më 5 shtator 2024 në emisionin “DPT te Fidani” është shprehur se një premtim i tillë për 160 çerdhe nuk është arritur të përmbushet i tëri, sepse sipas saj, s’ka pasur hapësirë dhe bashkëpunim prej komunave.

Nëse e krahasojmë numrin e çerdheve të ndërtuara gjatë mandatit tonë, me investime që nga ana e Ministrisë së Arsimit, janë bërë në komuna në ndërtimin e kopshteve dhe çerdheve, ne jemi dukshëm më mirë sesa deri më tani”.

Muaj më vonë, më 10 nëntor, Klan Kosova kishte kërkuar përgjigje nga MASHTI të tregojë se sa është numri i çerdheve që kanë ndërtuar për katër vite pushtet, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërkaq më 2 dhjetor të vitit të kaluar, Nagavci konfirmoi se vetëm 14 sosh janë të përfunduara dhe të adoptuara.

“Ne kemi investuar dhe po investojmë në 64 çerdhe, i kemi 14 çerdhe tashmë të përfunduara dhe të adoptuara,  i kemi 38 në proces të ndërtimit dhe janë 12 çerdhe në proces të prokurimit”.

Për dështimin e dikasterit që e udhëhoqi për katër vjet, Nagavci fajin tentoi ta lë te komunat, por të cilës i reagoi drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i cili tha se MAShTI nuk ka asnjë kërkesë nga komunat për çerdhe të reja.

Sipas Ibrahimit, komunat kanë bërë kërkesa të pareshtura në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për çerdhe publike.

“Kryetarët e Komunave vlerësojnë që shërbimet që ofrohen nga çerdhet janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e fëmijëve. Psh. Komuna e Kaçanikut ka bërë kërkesë në MASHTI duke ia prezantuar edhe lejen për ndërtim, vendimin e Kuvendit komunal dhe dokumentet tjera përcjellëse mirëpo, kjo kërkesë nuk ka marrë asnjë përgjigje”.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

<!–

–>

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT