Aleanca ka mbajtur sot mbledhjen e kryesisë së partisë, në të cilën është diskutuar kriza politike dhe bllokada për krijimin e institucioneve të reja, pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Në një postim në rrjetin social Facebook, kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka thënë se kjo bllokadë është e paprecedentë.
Ai ka thënë se pozicioni i partisë që udhëheq, që nga ditët e para pas mbylljes së kutive të votimit, ka qenë plotësisht konstruktiv dhe pro krijimit të institucioneve të rregullta.
“Si Aleancë, ne kemi hartuar një ofertë të qartë të dedikuar për qytetarët, e cila po injorohet totalisht nga partia e parë e dalë nga zgjedhjet, edhe pse zotimi ndaj këtyre pikave do të çonte menjëherë në tejkalimin e këtij ngërçi politik. Në vend të zgjidhjes, sot po shohim një shpërfillje të pafalshme ndaj Kushtetutës së Kosovës, ku pas shkeljes dhe djegies së afateve për konstituimin e Kuvendit, Kosova rrezikon bllokadën totale.”, ka shkruar Gjini.
Ai ka thënë se partia që ka fituar zgjedhjet po i bën sulm vetë shtetit përmes ligjeve që cenojnë pavarësinë e institucioneve dhe sipas tij, duke shkatërruar rendin kushtetues.
“Ky çmontim i shtetit po degradon ekonominë, shëndetësinë dhe arsimin, duke dëmtuar rëndë imazhin tonë në botë. Kosova është më e madhe se çdo krizë politike e shkaktuar artificialisht si kjo që po shohim sot.”, ka thënë ai.
Gjini ka shtuar se si parti do të angazhohet në mbrojtje të projektit shtetëror, duke thënë se do të përdorin çdo rrugë politike për të rikthyer normalitetin dhe zhvillimin në vend. /Klankosova.tv


