Liria e mediave dhe sfidat me të cilat përballen gazetarët u trajtuan sonte në emisionin Rubikon në Klan Kosova.
Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi Qemajl Marmullakaj, ngriti një shqetësim rreth sanksioneve të KPM-së ndaj mediave.
Marmullakaj tha se ato vendime ishin të jashtëligjshme, bazuar në monitorimin që kishte bërë IKD-ja.
“Rekomandimet e dhëna janë dhënë nga një mekanizëm i cili është kundërligjshëm në atë pozitë. Ka pasur një thyrje të zinxhirit të procesit të vendimmarrjes dhe komisioni ka marrë vendime jashtë afateve kohore të parapara me rregullore”, tha Marmullakaj në Klan Kosova.
“Nga kjo periudhë që e potencova që e monitorojmë punën e KPM-së, ne e kemi ndihmuar KPM-në në harimin e akteve nënligjore me theks të veçantë tek rregullorja 2024/03, për përgjegjësinë e operatorëve medialë gjatë periudhës së zgjedhjeve. Dhe përkitazi me këtë, kemi ardhur në konkludim se vendimet janë të jashtëligjshme si të tilla”, shtoi ai.


