Saturday, September 19, 2026
spot_img
HomeLajmeMali i Zi përballet me shtyrje në negociatat me BE-në, disa shtete...

Mali i Zi përballet me shtyrje në negociatat me BE-në, disa shtete anëtare kërkojnë pauzë

Mali i Zi po përballet me shtyrje në procesin e mbylljes së kapitujve të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pasi disa shtete anëtare ende nuk kanë dhënë pëlqimin për vazhdimin e procesit.

Sipas burimeve diplomatike të cituara nga N1 dhe Radio Evropa e Lirë, kjo situatë rrezikon planin e Podgoricës për t’i përfunduar negociatat deri në fund të vitit dhe për t’i hapur rrugë anëtarësimit në BE në vitin 2028.

Sipas burimeve diplomatike, Holanda ka kërkuar pauzë në proces, ndërsa kërkesës së saj i janë bashkuar Kroacia, Estonia, Lituania dhe Letonia. Këto pretendime janë publikuar nga mediat rajonale dhe bazohen në burime jozyrtare diplomatike.

Ndërkohë, një zyrtar i Këshillit të BE-së tha se mosmbajtja e konferencës ndërqeveritare gjatë shtatorit lidhet kryesisht me mungesën e kohës për përfundimin e procedurave të brendshme nga shtetet anëtare. Sipas tij, disa kapituj kërkojnë konsultime të gjera kombëtare.

Megjithatë, burime diplomatike të Radio Evropës së Lirë kanë thënë se arsyet nuk janë vetëm teknike. Sipas tyre, reagimet e disa politikanëve malazezë pas vdekjes dhe gjatë varrimit të Ratko Mlladiqit kanë ndikuar në rezervat e disa vendeve anëtare ndaj avancimit të mëtejshëm të Malit të Zi.

Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, ishte kritikuar nga Qeveria e Kroacisë për shprehjen e ngushëllimeve pas vdekjes së Mlladiqit. Zagrebi ka deklaruar se në negociatat e anëtarësimit do të vazhdojë të kërkojë përmbushjen e kritereve, përfshirë ballafaqimin me të kaluarën dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.

Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht 18 nga 33 kapitujt e negociatave. Gjatë këtij viti janë mbyllur gjashtë kapituj, ndërsa Podgorica synon të mbyllë edhe 15 kapitujt e mbetur deri në fund të dhjetorit.

Sipas Radio Evropës së Lirë, mundësia e radhës për vazhdimin e procesit mund të jetë në tetor, nëse vendet anëtare arrijnë konsensus për kapitujt e rinj.

taSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT