Një kolonë e madhe tymi të zi është parë pranë aeroportit ndërkombëtar “King Khalid” në Riad, disa orë pasi autoritetet saudite kishin lëshuar alarm për rrezik të mundshëm nga sulmet ajrore.
Shkaku i incidentit ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet saudite.
Mbrojtja Civile e Arabisë Saudite u dërgoi gjatë natës njoftime në telefonat e banorëve të Riadit dhe qytetit Al-Kharj, duke i paralajmëruar për rrezik të mundshëm nga sulmet ajrore dhe duke u bërë thirrje të qëndronin brenda.
Të shtunën në mëngjes u dha sinjali “all-clear”, duke njoftuar se rreziku kishte kaluar. Megjithatë, banorë të Riadit raportuan se kishin dëgjuar disa shpërthime në zona të kryeqytetit.
Pamjet e publikuara nga Reuters tregojnë një re të madhe tymi të zi pranë aeroportit “King Khalid”, ndërsa në disa momente janë parë edhe flakë pas strukturave që dukeshin si depo karburanti.
Një gazetar i AFP-së raportoi se zjarrfikësit po përpiqeshin të shuanin flakët pranë një depozite karburanti që i përkiste kompanisë shtetërore të naftës Aramco.
Incidenti ka shkaktuar probleme në aeroportin ndërkombëtar të Riadit. Të dhënat e FlightRadar24 kanë treguar vonesa të mëdha dhe anulime të fluturimeve gjatë ditës.
Deri tani nuk është konfirmuar nëse aeroporti ishte objektiv i drejtpërdrejtë i ndonjë sulmi apo nëse zjarri pranë tij është shkaktuar nga një incident tjetër.
Ngjarja ndodh në një periudhë të përshkallëzimit të konfliktit mes Arabisë Saudite dhe rebelëve Houthi në Jemen. Huthët kanë intensifikuar sulmet ndaj Arabisë Saudite dhe kanë kërcënuar me vazhdimin e veprimeve kundër objektivave saudite.
Zëdhënësi ushtarak i Huthëve, Yahya Saree, të premten deklaroi se veprimet saudite “nuk do të mbeten pa përgjigje”.
Megjithatë, autoritetet saudite nuk kanë konfirmuar se tymi dhe flakët pranë aeroportit të Riadit janë pasojë e një sulmi nga Huthët.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


