Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, është intervistuar në stacionin policor të Skenderajt lidhur me një rrahje fizike që dyshohet se ka ndodhur dje në një kafene të qytetit, ku i përfshirë është edhe zëvendësministri i Financave, Hysni Mehani.
Pas intervistimit, Lushtaku ka deklaruar se gjithë ajo që ka ndodhur gjatë dy ditëve të fundit është e motivuar politikisht, duke akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po tenton të viktimizohet në prag të fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit.
“Krejt kjo që ka ndodh është politike. Albin Kurti do që përmes aksioneve të tilla të viktimizohet. Në kushte normale nuk do të isha intervistuar”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se nuk e di në çfarë cilësie është intervistuar dhe se pret që “të lirohen prej kësaj që ka shpif Hysni Mehani”.
Lushtaku gjithashtu ka kritikuar praninë e Njësisë Speciale në Skenderaj gjatë zhvillimeve të djeshme, duke e cilësuar si të panevojshme dhe shqetësuese për qytetarët.
“Është tepër e rëndë për qytetarët e Skenderajt, nuk e meritojnë as komunat e tjera që njësitë speciale me armë të gjata ta provokojnë qytetarin e këtij vendi që kanë dhënë shumë për Kosovën. Besoj që nuk duhet me shku kerku pa arsye e pa nevojë. Ata janë policë të Kosovës që i respektojmë shumë”, shtoi Lushtaku.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


